FSK i bashkohet ushtrimit ushtarak amerikan “Saber Junction 25” në Gjermani

Para 9 muaj

Me ftesë të ushtrisë amerikane, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë me një kontingjent në ushtrimin ushtarak fushor “Saber Junction 25”, i cili po mbahet në Hohenfels, në Republikën Federale të Gjermanisë.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ky ushtrim ka për qëllim testimin dhe vlerësimin e gatishmërisë së njësive luftarake të brigadave të këmbësorisë, si dhe të njësive të tjera që janë pjesë e rotacionit për misionin e KFOR-it në Kosovë.

“Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim dëshmon edhe një herë përkushtimin tonë për të qenë një forcë profesionale, ndërvepruese dhe e gatshme për të kontribuar në paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë.

Ministria e Mbrojtjes thotë se FSK-ja “po merr pjesë me një Kompani të Këmbësorisë dhe një skuadër të Materieve të Rrezikshme ( CBRN) me qëllim demonstrimin e profesionalizimit dhe ndërveprueshmërin me vendet partnere”.