Prishtinë – Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të 259-të në mënyrë elektronike, ku ka miratuar vendimin për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni humanitar ka të bëjë me kërkim-shpëtimin në zonën e “Qafës së Burrelit”, në Bashkinë Klos, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën teksa po punonte me fadromë dhe trupi i tij ende nuk është gjetur.
Mbështetja e FSK-së në këtë operacion theksohet si pjesë e partneritetit strategjik të Kosovës me shtetet mike, veçanërisht me Shqipërinë. “Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për zgjerimin e kapaciteteve dhe vënien në detyrë të këtyre kapaciteteve, është e përgatitur të mbështesë Shqipërinë me një kontingjent për nevojë humanitare”, thuhet në komunikatë.
Mjetet financiare për realizimin e këtij angazhimi do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
