Përhapja e fruthit në disa komuna të Kosovës ka ngritur shqetësim të madh tek prindërit, duke nxitur rritje të menjëhershme të interesimit për vaksinimin e fëmijëve me vaksinën MMR – që mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), deri më tani janë regjistruar 23 raste të konfirmuara me fruth, shumica prej tyre fëmijë të pavaksinuar, të moshës nga 1 deri në 2 vjeç. Rastet janë identifikuar në komuna si Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Lipjan, Fushë-Kosovë dhe Prishtinë.
Zëdhënësi i IKSHPK-së, Faik Hoti, tha për media se një pjesë e të infektuarve tashmë janë shëruar, ndërsa disa janë ende në trajtim.
“Shumica e rasteve janë fëmijë që nuk janë vaksinuar apo nuk e kanë kompletuar vaksinën kundër fruthit. Rrethina e këtyre rasteve janë kopshtet parashkollore, ku janë konstatuar lidhje të drejtpërdrejta epidemiologjike,” u shpreh Hoti.
Ai theksoi se alarmi publik për rastet e fruthit ka pasur efekt pozitiv, duke vetëdijesuar prindërit për rëndësinë e vaksinimit.
“Ka pasur një rritje të dukshme të interesimit për vaksinim. Ne u bëjmë thirrje të gjithë prindërve që nuk i kanë vaksinuar fëmijët për çfarëdo arsye, ta bëjnë këtë menjëherë – sepse vaksina është mbrojtja më e mirë kundër fruthit.”
Vaksina MMR është e sigurt dhe efektive
Hoti siguroi se vaksina MMR është e sigurt, nuk shkakton efekte anësore serioze dhe është përdorur për më shumë se 60 vite në të gjithë botën.
“Fruthi nuk është si gripi. Është sëmundje e rrezikshme dhe mund të shkaktojë komplikime serioze si encefaliti (ndezja e trurit), probleme me mushkëritë dhe madje edhe vdekje në raste ekstreme,” paralajmëroi ai.
Sipas udhëzimeve, doza e parë e vaksinës duhet të merret në moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeç. Por edhe nëse ka vonesa, vaksina mund të merret në një afat të mëvonshëm pa rrezik.
Çfarë është fruthi?
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse, që përhapet përmes ajrit kur një person i infektuar kollitet, teshtin apo flet. Simptomat përfshijnë:
Temperaturë të lartë
Kollë të thatë
Rrjedhje hundësh
Skuqje të syve dhe ndjeshmëri ndaj dritës
Skushje në lëkurë që fillon nga fytyra dhe përhapet në trup
Njolla të bardha në gojë
Në vitet e fundit, rastet e fruthit janë shtuar në Kosovë dhe më gjerë, sidomos për shkak të rënies së përqindjes së vaksinimit, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.
