Fragmente nga libri “M*asakrat në Kosovë 1998-1999”,

Para 1 vit

FAMILJA LIPA
Mëngjesin e 13 prillit 1999, forcat sërbe i zunë në shtëpi, i torturuan dhe vranë të zotin e shtëpisë, Salih Zeqirajn 85-vjeçar, dhe tetë anëtarë të familjes Lipa, që të gjithë civilë të paarmatosur, prej të cilëve katër vajza të moshave 13-15 vjeçare, si dhe katër gra, tri prej të cilave mbi 65-vjeçare. Sipas gazetarit Francesco Grignetti të gazetës italiane ‘La Stampa’, dy vajza të mitura dhe një grua edhe u përdhunuan para se të vriten.
Më pas, forcat sërbe i hodhën trupat e të vrarëve në bunarin e shtëpisë, rreth 20 metra të thellë, dhe i mbuluan me dhé, gurë, kashtë e gëlqere. Sipër hodhën edhe një televizor të vjetër e një shporet, dhe vunë dinamit, por shpërthimi vetëm pjesërisht i shkatërroi muret e bunarit. Trupat më në sipërfaqe u copëtuan nga eksplodimi, kurse të tjerët më në thellësi mbetën të paprekur.
Me ndihmën e fshatarëve dhe në prani të KFOR-it italian, më 26 qershor 1999, familjarët i nxorën trupat e të vrarëve nga bunari. Një oficer i KFOR-it italian, duke e parë tërë këtë tmerr, tha, «le të shpresojmë se i kanë vra para se t’i hidhnin në bunar».
Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush.

Fragmente nga libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, faqe 498-505.

Foto e Lindihanë Lipës mbi thesin e kufomës së saj.
© Ana Exposito Valle