Fjalët që prekën zemrat: Nëna e dëshmorit Bahri Gollopeni përballet me kujtimin e të birit

Para 8 muaj

Në një ceremoni përkujtimore të mbushur me emocione dhe nderim të thellë, në fshatin Dobërdelan të Suharekës u zbulua të shtunën busti i dëshmorit Bahri Gollopeni – një figurë e shquar e luftës për liri.

Në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve institucionalë dhe banorëve të fshatit, u kujtua jeta dhe sakrifica e Gollopenit, i cili dha jetën për çlirimin e Kosovës.

Momenti më prekës i ceremonisë ishte përballja e nënës së dëshmorit me bustin e të birit. Me lot në sy, ajo iu drejtua me fjalë të thella që prekin çdo zemër:

“Djali jem, qitash je ardhë në katun tanin, në ven tanin.”

Këto fjalë përmbledhin dhimbjen, krenarinë dhe mungesën që familja e një dëshmori e ndjen përjetësisht, por edhe nderimin që komuniteti ia kthen përmes kujtesës dhe përjetësimit të figurës së tij.

Ky përurim është dëshmi e angazhimit për të mos harruar ata që sakrifikuan më të shtrenjtën për lirinë e vendit dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj vlerat e qëndresës dhe atdhedashurisë.