Ferizaj: 14-vjeçarit i gjendet armë dhe sprej – Policia apel prindërve: Edukoni fëmijët për të qëndruar larg rrezikut

Para 9 muaj

Një rast shqetësues është raportuar në Ferizaj, ku një i mitur 14-vjeçar është kapur nga policia duke mbajtur me vete një armë zjarri (pa fishekë) dhe një sprej. Ngjarja ka ndodhur më 19 korrik 2025, rreth orës 00:10, dhe është bërë e ditur nga Policia Rajonale e Ferizajt.

Pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar të miturin. Gjatë kontrollit, arma dhe spreji janë sekuestruar, ndërsa i riu është shoqëruar në stacionin policor në prani të prindit dhe avokatit të tij mbrojtës.

Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kujdestar për të mitur, 14-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt. Arma dhe spreji mbeten në posedim të policisë si prova materiale.

Policia ka reaguar me një apel publik për prindërit dhe komunitetin në tërësi, duke kërkuar angazhim më të madh në edukimin e fëmijëve:

“Çdo përfshirje e të miturve në raste të tilla paraqet rrezik serioz për jetën e tyre dhe të të tjerëve. Të kujdesemi së bashku për sigurinë e fëmijëve tanë – është përgjegjësi e të gjithëve!”

Policia e Ferizajt thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e armëmbajtjes pa leje dhe inkurajon qytetarët të raportojnë çdo rast të ngjashëm.