Fenomeni “Melania Trump”, ndikimi i Zonjës së Parë në vendimet e Presidentit të SHBA

Para 8 muaj

Gjashtë muaj pas nisjes së mandatit të tij të dytë, Donald Trump ka bërë një ndryshim të thellë në qëndrimet e tij për çështjet kryesore ndërkombëtare. Mediat e huaja pohojnë se në këtë kthesë ka një rol të rëndësishëm Zonjën e Parë, Melania Trump.

– Advertisement –

Nga burimet brenda administratës, thuhet se Melania ka ndikuar në ndryshimin e politikave të Trump lidhur me krizën humanitare në Gaza dhe ka shtuar skepticizmin ndaj synimeve të Vladimir Putinit për paqen në Ukrainë. Në biseda private, presidenti i referohet pikëpamjeve të saj me respekt, ndërsa shpesh e pranon publikisht ndikimin që ajo ka në vendimet e tij.

Melania, e njohur për qëndrimin e saj diskret dhe largimin nga deklaratat politike, ka qëndruar kryesisht jashtë aktiviteteve zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, duke kaluar më shumë kohë në Nju Jork për të qenë pranë të birit. Nga janari e deri tani, ajo ka qëndruar vetëm pak ditë në rezidencën presidenciale, duke mohuar idenë e një gruaje që kërkon të dominojë në politikë.

Në autobiografinë e saj, “Melania”, ajo nuk ka zbuluar shumë rreth përfshirjes së saj politike, por është e njohur për angazhimin në çështjet humanitare, sidomos mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtën për abort, duke krijuar kështu disa tensione me Donald Trump.

Edhe pse një sondazh i shkurtit 2025 e renditi Melanian në vendin e dhjetë për nga ndikimi në administratë, pas figurave si Stephen Miller dhe Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, largimi i Elon Musk duket se i ka rritur rëndësinë dhe ndikimin brenda rrethit të ngushtë të Trump.

Vetë presidenti Trump ka pranuar se në të kaluarën kishte hezituar t’i besohej bashkëshortes së tij në çështje politike, por tani është bërë më i varur nga mendimet e saj. Në vitin 2018, Melania kritikoi publikisht politikën e ndarjes së fëmijëve emigrantë nga prindërit e tyre, dhe edhe në krizën e fundit në Gaza, ajo ka nxjerrë në pah vuajtjet e fëmijëve.

“Melania mendon se është e tmerrshme. Ajo sheh të njëjtat imazhe që të gjithë ne shohim. Nuk mund të thuash asgjë tjetër përveçse është e tmerrshme kur sheh fëmijët që vuajnë.”– tha Trump.

Melania ka theksuar se ka “mendimet e saj” dhe “nuk është gjithmonë dakord” me presidentin, duke vënë në pah se mosmarrëveshjet mes tyre janë të natyrshme dhe legjitime.

Në lidhje me Ukrainën, Melania ka shfaqur mbështetje për popullin ukrainas që në fillim, por ka shmangur akuzat e drejtpërdrejta ndaj Rusisë. Kjo qasje duket se ka influencuar gjuhën më të kujdesshme të Trump ndaj Putinit në muajt e fundit.

Fenomeni “Melania Trump” duket se po ndryshon dinamikën e brendshme të Shtëpisë së Bardhë dhe po ndikon në formësimin e politikave të SHBA-së në arenën ndërkombëtare.