Ndërsa lufta vijon, uria dhe mungesa e ndihmave rrezikojnë jetën e mijëra civilëve – veçanërisht fëmijëve
Nga Gaza vijnë pamje dhe thirrje të dëshpëruara. “Fëmijët tanë po vdesin çdo ditë,” shprehet një baba mes rrënojave dhe urisë që ka pllakosur rajonin. Situata humanitare në enklavën e rrethuar është gjithnjë e më katastrofike, për shkak të ofensivës së vazhdueshme të Izraelit dhe mungesës totale të furnizimeve bazë.
Pas më shumë se 11 javësh bllokadë të plotë ndaj ndihmave humanitare, Izraeli njoftoi se të martën lejoi hyrjen e 93 kamionëve me ndihma në Gaza. Por sipas Kombeve të Bashkuara, këto ndihma nuk kanë arritur ende tek popullsia e vuajtur. Ekipet e OKB-së raportojnë se kanë pritur me orë të tëra për të pasur qasje në kamionët në pikën kufitare, por nuk kanë marrë ende leje nga ushtria izraelite.
Nga Vatikani, Papa Leoni – në audiencën e tij të parë publike në Sheshin Shën Pjetri – bëri thirrje për një reagim urgjent. “Përsëris thirrjen time të ndjerë për të lejuar hyrjen e ndihmave të mjaftueshme humanitare dhe për t’i dhënë fund luftimeve. Çmimi më i lartë po paguhet nga fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët,” tha kreu i ri i Selisë së Shenjtë, duke e quajtur situatën “shumë shqetësuese dhe të dhimbshme”.
OKB paralajmëron se, nëse nuk ndërhyhet menjëherë, rreth 14 mijë foshnje mund të humbasin jetën në 48 orët e ardhshme për shkak të urisë dhe mungesës së ilaçeve. Gaza është kthyer në një zonë ku tregjet janë bosh, pa fruta, perime apo mish; ku spitalet nuk kanë karburant për gjeneratorët, dhe ku 25 për qind e ujit të pijshëm është i kontaminuar.
Nga ana tjetër, zyrtarë izraelitë si Michael Kleiner, anëtar i partisë Likud, thonë për BBC se po bëhen përpjekje që ndihmat të mos bien në duart e Hamasit, duke fajësuar këtë të fundit për pengimin e paqes dhe keqpërdorimin e ndihmave.
Ndërkohë, bombardimet ajrore izraelite vijojnë pandërprerë. Të paktën 15 persona janë vrarë që prej mesnatës, përfshirë edhe fëmijë.
