Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nis sot një fazë kyçe e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me paraqitjen e dëshmitarit të parë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës.
Dëshmitari i parë është James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, i cili pritet të dëshmojë në mbështetje të Thaçit. Seanca do të fillojë në orën 09:00, ndërsa transmetimi për publikun ofrohet me 45 minuta vonesë në faqen zyrtare të gjykatës.
Procesi mund të ndiqet edhe nga galeria e gjykatës, por pa praninë e pajisjeve elektronike.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar rreth 11 dëshmitarë, ndërsa më pas pritet të vazhdojë mbrojtja e Jakup Krasniqit, një tjetër i akuzuar në këtë proces, bashkë me Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Avokatët e këtyre të fundit kanë bërë të ditur se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave katër muaj më parë, pas dëgjimit të 125 dëshmitarëve dhe dorëzimit të mbi 130 dëshmive me shkrim. Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohen për përfshirje në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe për krime lufte të pretenduara.
Mbrojtja mohon akuzat, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese dhe se procesi është i motivuar politikisht.
Gjykimi ka filluar në prill të vitit 2023, ndërsa materialet përfundimtare nga mbrojtja pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
