Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Fatos Klosi, ka bërë të ditur se është thirrur si dëshmitar nga mbrojtja në Gjykatën Speciale në Hagë, për të dëshmuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një intervistë për emisionin “Shqip” në “DritareTV”, Klosi theksoi se shumë prej dëshmitarëve të thirrur deri tani nuk po paraqesin akuza direkte ndaj komandantëve të UÇK-së, dhe se mungesa e provave konkrete po zgjat procesin gjyqësor.
“Dëshmitarët nuk po përmendin emrat e ish-krerëve të UÇK-së, sepse nuk kanë qenë në skenë. Edhe nëse ka pasur ndonjë shkelje, nuk ka ndodhur në sy të dëshmitarëve. Ata po akuzohen më shumë për mungesë kontrolli sesa për veprime direkte. Dhe kjo është arsyeja pse procesi po zvarritet,” deklaroi Klosi.
Ai konfirmoi se do të dëshmojë në Hagë, por nënvizoi se nuk ka qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës, ndaj mund të flasë më shumë mbi strukturat dhe rolet politike të UÇK-së sesa mbi ngjarjet konkrete në terren.
“Pjesa më e madhe e problemeve kanë ndodhur pasi kanë hyrë trupat aleate në Kosovë, kur UÇK-ja nuk ishte më operative. Mua më ka kërkuar mbrojtja si dëshmitar dhe do të shkoj,” shtoi ai.
“Thaçi nuk ka komanduar në terren – roli i tij ka qenë politik”
Fatos Klosi ndalet edhe te roli i Hashim Thaçit, duke theksuar se ai nuk ka qenë komandant operativ, por ka pasur një rol politik dhe diplomatik gjatë dhe pas luftës.
“Hashim Thaçi nuk ka qenë kurrë komandant në terren. Ka pasur një rol politik dhe ka bashkëpunuar me shtetet aleate. Por nuk ka komanduar njësi ushtarake në mënyrë direkte,” tha Klosi.
Ai shton se një pjesë e akuzave ndaj Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së janë ngritur duke ngatërruar rolin politik me atë ushtarak, gjë që ka sjellë sfida serioze në procesin gjyqësor.
