Fatmir Sopi: “Boll është boll” – OVL-UÇK kërkon fund të ngërçit politik dhe formimin e institucioneve

Para 9 muaj

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fatmir Sopi, ka reaguar ashpër ndaj stërzgjatjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se qytetarët nuk e kanë pritur një vonesë të tillë në formimin e institucioneve shtetërore.

I ftuar në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, Sopi theksoi se partitë politike duhet të lënë anash përplasjet dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për të ndërtuar qeverinë.

“Sot kemi pasë një takim me kryetarët e degëve në të gjitha komunat e Kosovës dhe me kryesinë e OVL-UÇK-së. Ne kemi dalë me një qëndrim të përbashkët – boll është boll,” u shpreh ai, duke shtuar se edhe Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ndajnë të njëjtin shqetësim për ngërçin institucional.

Sopi paralajmëroi se Kosova nuk ka luksin të qëndrojë pa institucione funksionale në një situatë të ndjeshme ndërkombëtare, ku rreziqet e sigurisë dhe kërcënimet gjeopolitike janë të pranishme. Ai rikujtoi se Kosova është Republikë parlamentare dhe u bëri thirrje forcave politike që të vendosin interesin e vendit mbi interesat partiake.