Fahri Fazliu, nipi i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu: Dita e dëshmorëve këtë vit më e rëndë, babai im është në Hagë

Para 11 muaj

Fahri Fazliu, i riu që mban emrin e xhaxhait të tij të ndjerë, dëshmorit Fahri Fazliu, sot kujton me krenari dhe mall sakrificën e familjes së tij për lirinë e Kosovës.

Ai është nipi i dy dëshmorëve të kombit – Fahri dhe Bahri Fazliu – të cilët dhanë jetën për atdheun në kohë dhe rrethana të ndryshme. “Fahri Fazliu, së bashku me Afrim Zhitin, më 2 nëntor 1989, u vranë në hyrjen e gjashtë të një ndërtese, pikërisht nga kjo dritare ku jemi sot,” tha një familjar i dëshmorëve. Ndërsa vëllai tjetër, Bahriu, ra në kufirin Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi gjatë luftës.

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, Fahriu i ri përkujton edhe anën tjetër të xhaxhait të tij – atë të poetit. “Bahriu ka shkruar poezi që mbajnë mesazhe të fuqishme. Një prej tyre thotë: ‘Çdo gjë që iu intereson të dini për dëshmorët, ecni në rrugët e tyre’. Në një tjetër shkruan: ‘Edhe vdekjen do ta puth kur lufta këtë do ta kërkojë, edhe nga varri do të ngrihem e luftën kurrë nuk do ta pushoj’.”

Por këtë vit, për të, kjo ditë ka një dhembje të veçantë. Babai i tij, Fadil Fazliu, ndodhet prej pesë muajsh në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit dita e dëshmorëve ishte më e rëndë për mua, sepse babai nuk ishte pranë. Vitin e kaluar ishim bashkë te varrezat në Prishtinë. Sivjet shkova vetëm, nuk jam dorëzuar, por mungesa e tij ndihet shumë sepse ai është shtylla e familjes,” tha Fahriu.

Ai tregoi për Teve1 se pati edhe një telefonatë me babanë nga Haga, ku ky i fundit e porositi të mos harronte vizitat dhe përkujtimet për dëshmorët. “Më tha: ‘Sot është një ditë e madhe, është dita e dëshmorëve. Uroji shokëve dhe shoqërisë. Shko bëj vizitat siç i kam bërë unë. Shko te varrezat, te vëllezërit dhe shokët e tyre, se edhe ata ishin si vëllezër’.”

Në fund, Fahri Fazliu bëri një thirrje publike: “Familjarët e dëshmorëve duhet të trajtohen me më shumë dinjitet dhe të respektohen nga institucionet e vendit.”