Evropa në protestë për “Madleen”, dënojnë arrestimin e aktivistëve

Para 10 muaj

Shtetet evropiane kanë protestuar më 9 qershor kundër sekuestrimit të anijes humanitare “Madleen”, e cila po transportonte ndihma jetike drejt Gazës. Demonstruesit dënuan arrestimin e aktivistëve në bord dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre.

Në Francë, qindra protestues u mblodhën në sheshin “Place de la République” në Paris, ku shprehën zemërimin ndaj bastisjes së anijes nga Izraeli dhe bllokadës ndaj Gazës.

Në Gjermani, demonstrata u zhvillua në Alexanderplatz të Berlinit, nën moton “Ndaloni sulmin ndaj Madleen”. Sipas radios gjermane RBB24 info, në protestë morën pjesë qindra qytetarë, të cilët shprehën solidaritet me aktivistët e arrestuar.

Në Danimarkë, qytetarët protestuan në Kopenhagen, duke dënuar ndalimin e anijes dhe duke kërkuar respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Në Holandë, dhjetëra persona u mblodhën jashtë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hagë, ku kërkuan lirimin e menjëhershëm të anijes dhe të aktivistëve të ndaluar, mes tyre edhe një shtetas holandez.

Ndërkohë, në Greqi, protestuesit u mblodhën para ambasadës izraelite në Athinë, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke dënuar operacionin izraelit ndaj anijes “Madleen”, e cila po përpiqej të thyente bllokadën ndaj Gazës për të dorëzuar ndihma humanitare.

Anija “Madleen” u ndalua nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare dhe u detyrua të ankorojë në portin Ashdod të Izraelit. Të gjithë aktivistët në bord u arrestuan, sipas burimeve zyrtare izraelite. Kjo ka shkaktuar një valë reagimesh në arenën ndërkombëtare dhe kërkesa të shumta për lirimin e menjëhershëm të të arrestuarëve.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë