Erdogan nga Tirana: Paqe për Ukrainën, armëpushim të përhershëm në Gaza – Evropa s’mund të heshtë më

Para 11 muaj

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalën e tij gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë, bëri thirrje për një qasje më të ndjeshme dhe më kritike ndaj konflikteve ndërkombëtare. Ai u ndal veçanërisht te lufta në Ukrainë dhe kriza humanitare në Rripin e Gazës.

“Duhet të jemi më kritikë. Të heshtin armët dhe paqja të vendoset në Ukrainë,” deklaroi Erdogan. Ai theksoi rëndësinë e inkurajimit të palëve drejt një zgjidhjeje pa imponim, duke zbuluar se kishte pasur takime me liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë si Trump, Putin, Zelensky, Macron dhe Meloni.
“Zelensky ishte dje në Ankara. Pas takimit me të, vendosi të nisë bisedimet teknike që prej marsit 2022 – një dritare e rëndësishme mundësie për të ndalur gjakderdhjen. Kjo mundësi nuk duhet humbur. Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në këtë proces,” shtoi ai.

Duke iu referuar situatës në Gaza, Erdogan e cilësoi atë si një katastrofë humanitare të pashembullt dhe u shpreh se Europa duhet të marrë një qëndrim të qartë e të fortë.
“Çdo ditë dhjetëra të pafajshëm masakrohen. T’i themi ndal kësaj. Qëndrimi agresiv, arrogant dhe i pakompromis i Netanyahut po rrezikon jo vetëm Gazën, por të gjithë rajonin,” theksoi Erdogan.
Ai kërkoi vendosjen e një armëpushimi të përhershëm dhe mobilizim ndërkombëtar për ndihma humanitare.
“Më shumë se 2 milionë njerëz po vuajnë urinë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar s’ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të siguruar dinjitet njerëzor. E vetmja zgjidhje e qëndrueshme është zgjidhja me dy shtete,” theksoi ai.

Presidenti turk u ndal edhe te çështja e Sirisë, ku tha se po hapet një kapitull i ri.
“Me përfundimin e një konflikti në Siri, është çelur një fazë e re. Vendimi i Trump ka treguar sa rëndësi i jep ai stabilitetit rajonal. Shpresoj që ky hap të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera. Kjo mbështetje do të ndihmojë gjithashtu në kthimin dinjitoz dhe të sigurt të sirianëve në atdhe,” përfundoi Erdogan.

Me një qëndrim të qartë diplomatik dhe thekse të forta humanitare, Erdogan kërkoi që Europa të dalë nga indiferenca dhe të luajë një rol më aktiv në zgjidhjen e konflikteve globale.