Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se ka qëndruar sot në Hagë, ku ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët po mbahen atje nën akuzat për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj ka theksuar se takimi me ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë emocional dhe i rëndësishëm për të.
“Ata po përballen me dinjitet me sfida të mëdha, si gjithmonë, me dashuri për Kosovën dhe besim në drejtësi,” ka shkruar ai.
Tutje, Hoxhaj ka shprehur mbështetje të plotë për Thaçin dhe Veselin, duke theksuar vendosmërinë e tyre përballë sfidave me të cilat përballen.
“Qëndrojnë të fortë, të palëkundur, me shpirtin e njëjtë që patën në ditët më të vështira të historisë sonë. Kosova nuk harron!”, ka shtuar deputeti i PDK-së.
Thaçi dhe Veseli ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, si të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime të pretenduara gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Procesi gjyqësor ndaj tyre është ende në zhvillim.
