Endrit Shala reagim të ashpër për zgjedhjen e Dimal Bashës: “Fyerja më e rëndë për UÇK-në, ai duhet të shkarkohet menjëherë”

Para 8 muaj

Prishtinë, 28 gusht 2025 – Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si “fyerjen më të rëndë” ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerave të saj.

Në një deklaratë publike, Shala ka kritikuar ashpër Bashën, duke e cilësuar si “fyes, denigrues dhe poshtërues të UÇK-së” dhe duke theksuar se një figurë e tillë nuk duhet të përfaqësojë popullin në institucionin më të lartë legjislativ të vendit.

“Zgjedhja e Dimal Bashës Kryetar i Kuvendit të Kosovës është fyerja më e rëndë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për gjakun e dëshmorëve dhe për vetë shtetin tonë,” tha Shala. “Një i tillë në Kosovë nuk do duhej as ta përmendte kandidimin për deputet, e le më të udhëhiqte Kuvendin e Republikës!”

Shala akuzoi disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për bashkëfajësi në zgjedhjen e Bashës, duke thënë se ata ia mundësuan këtë pozitë, pavarësisht deklaratave të tyre publike për mbrojtjen e trashëgimisë së UÇK-së.

“Këta deputetë që flasin për UÇK-në, që bëjnë sikur qajnë për liderët në Hagë, ishin pikërisht ata që ia dhanë votën këtij poshtëruesi të vlerave tona më të shenjta,” u shpreh ai.

Shala kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Bashës nga posti i kryeparlamentarit dhe u bëri thirrje deputetëve të PDK-së dhe AAK-së të marrin përgjegjësi për votën e tyre.

“Ai duhet të shkarkohet menjëherë, dhe të parët që duhet ta kërkojnë këtë janë pikërisht ata deputetë që e sollën në këtë pozitë. Duhet të kërkojnë falje publike para popullit, sepse me votën e tyre i sollën Kuvendit këtë turp,” përfundoi Shala.

Zgjedhja e Dimal Bashës ka nxitur reagime të shumta nga opinioni publik dhe spektri politik, për shkak të qëndrimeve të tij të mëhershme ndaj luftës së UÇK-së të dokumentuara në një punim shkencor, ku ai akuzohet se ka shfaqur qëndrime kritike dhe denigruese.