Një aksident tragjik në punë i mori jetën të martën në mëngjes Endrit Ademit, një i ri 24-vjeçar nga Kosova, i cili punonte në një kantier ndërtimi në via Edoardo Bassini, në Milano.
Sipas informacioneve paraprake, Ademi ra nga një lartësi prej rreth 12 metrash ndërsa ndodhej në një skelë pune në katin e tretë të ndërtesës që po i nënshtrohej punimeve të lyerjes. Skela mbi të cilën ai po punonte kishte një mbulim të ngushtë, më pak se një metër, dhe ende nuk dihen saktësisht rrethanat që çuan në rënien e tij. Dyshohet se ai mund të ketë humbur ekuilibrin, çka solli shembjen e barrierës mbrojtëse dhe rrëzimin fatal.
Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të stafit të emergjencës nga Kompania Rajonale e Emergjencave dhe Urgjencës (Areu), Ademi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda.
Në vendin e ngjarjes ndodheshin edhe oficerë të policisë lokale, karabinierët, zjarrfikësit dhe përfaqësues të ATS-së, të cilët kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Endrit Ademi jetonte në Rovato, në provincën e Breshias, larg familjes së tij që ndodhet në Kosovë. Kolegët e tij e përshkruajnë si një djalë shumë të mirë dhe punëtor të palodhur, që ka lënë pas një boshllëk të madh mes tyre.
Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar nëse në këtë rast janë respektuar standardet e sigurisë në punë.
