Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e partive politike, tha se nuk ka pasur një qëndrim unik nëse ekziston mundësia për caktimin e mandatarit të dytë për formimin e qeverisë së re, as për miratimin e buxhetit për vitin 2026.
Ajo deklaroi se do të vazhdojë konsultimet me partitë deri më 5 nëntor, afati kushtetues për vendimin nëse do të ketë mandat të dytë apo jo. Osmani sqaroi se disa parti pranuan se nuk kanë shumicë për formim qeverie, ndërsa të tjera kërkuan kohë shtesë për diskutime.
Presidentja theksoi se vendimi për mandatarin e dytë mbetet në diskrecionin e saj, sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo bëri të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar një takim tjetër para skadimit të afatit 10-ditor për të paraqitur ose jo një propozim të ri.
Sa i përket buxhetit dhe Planit të Rritjes të BE-së, Osmani paralajmëroi se mungesa e dakordimit mund t’i kushtojë Kosovës humbje të fondeve prej mbi 800 milionë eurosh. Ajo propozoi që, në mungesë të një marrëveshjeje, të shqyrtohet mundësia e zgjatjes së buxhetit aktual deri më 31 mars 2026 për të shmangur krizën financiare.
Osmani shtoi se, nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje, është e gatshme ta përdorë nenin 79 të Kushtetutës për të proceduar vetë në Kuvend zgjatjen e buxhetit dhe Planin e Rritjes si nisma ligjore.
