Eksperti qetëson qytetarët: Mangani në ujin e Badovcit nuk paraqet rrezik për shëndetin

Para 7 muaj

Pas raportimeve për nivele të larta të manganit në ujin e liqenit të Badovcit, eksperti i mjedisit Sami Makolli ka qetësuar opinionin publik duke theksuar se situata nuk është alarmante dhe nuk përbën rrezik serioz për shëndetin.

Makolli tha se mangani në ujë nuk është një problem i ri në Kosovë, dhe se uji është konsumuar për dekada pa pasoja. Sipas tij, standardi i ri i BE-së (0.05 mg/L) është më shumë estetik se sa toksikologjik, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon kufi më të lartë – 0.08 mg/L për shëndetin.

Ai theksoi se edhe në SHBA, kufiri i toleruar për konsum gjatë gjithë jetës është deri në 0.3 mg/L, shumë më i lartë se në Kosovë.

“Mangani është pjesë normale e dietës njerëzore, dhe sasia në një gotë ujë është minimale në krahasim me atë që marrim nga ushqimi”, tha Makolli.

Ai rekomandoi që qytetarët të mos bien në panik, të vazhdojnë përdorimin e ujit për higjienë dhe konsum me masë (me përjashtim të foshnjave), dhe kërkoi që institucionet të ofrojnë informata të sakta dhe profesionale për publikun.