Në emisionin “Kosova Today”, sot u diskutua gjerësisht çështja e sigurisë kombëtare dhe kërcënimet e mundshme që mund të vijnë nga Serbia ndaj Republikës së Kosovës.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, konfirmoi dyshimet se një baza e FSK-së në Dumosh, Podujevë, mund të jetë xhiruar së fundmi nga një dron i paidentifikuar, për të cilin dyshohet se ka hyrë nga territori i Serbisë.
“Ne kemi ngritur prej kohësh shqetësime për nevojën e pajisjeve antidron. Sipas informacioneve, dyshohet se një dron ka depërtuar në hapësirën ajrore të Kosovës dhe ka xhiruar një bazë ushtarake. Mendohet se ka fluturuar në lartësi mbi 3000 metra,” tha Elezi.
Lidhur me këtë zhvillim, njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj, e cilësoi situatën si shqetësuese, veçanërisht nëse konfirmohet se bëhet fjalë për një mjet fluturues që ka ardhur nga Serbia.
“Nëse KFOR-i është prezent dhe ka përgjegjësi për sigurinë në vend, lind pyetja: si ka mundur një dron të hyjë në hapësirën ajrore të Kosovës pa u zbuluar?”, u shpreh Blakaj.
Ndërkohë, analisti Azdren Shala pati një reagim më të ashpër, duke thënë se nëse lajmi është i saktë, atëherë institucionet e Kosovës “nuk kanë haber se çfarë po ndodh”.
“Maqedonci ka paralajmëruar rrezikun nga Serbia gjashtë apo shtatë herë. Tashmë është kthyer në një ‘Goebbels’ të Kosovës, duke alarmuar për konflikte që nuk ndodhin,” tha Shala, duke iu referuar Ministrit të Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci.
