Në Gjykatën Speciale janë vërejtur parregullsi gjatë proceseve gjyqësore që, sipas ekspertëve, nuk mund të evidentohen plotësisht përmes monitorimit ‘online’. Ata theksojnë se vetëm prania fizike në sallë mund të sigurojë një pasqyrim real të qasjes së gjyqtarëve, prokurorëve dhe palëve të tjera në proces.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), monitorimi nga distanca nuk lejon vëzhgimin e detajeve të rëndësishme, si mimikat apo reagimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Nuk jemi në gjendje të shohim shumë ndodhi që ndodhin në sallë, sepse aty vërehet qasja e trupit gjykues – nëse janë të pavarur apo kanë qasje diskriminuese. Këto mund të kapen vetëm me monitorim fizik”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.
Ngjashëm, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) vlerëson se mungesa e pranisë fizike dhe problemet teknike gjatë transmetimeve cenojnë transparencën e Speciales. “Seancat janë shpesh të mbyllura apo të redaktuara, gjë që pengon qasjen e plotë të gazetarëve dhe publikun. Prezenca fizike mundëson vëzhgimin e gjesteve dhe reagimeve, të cilat ‘online’ nuk shihen”, tha Amer Alija nga FDHK.
Organizatat që monitorojnë proceset gjyqësore në Speciale kanë paralajmëruar publikimin e raporteve gjithëpërfshirëse në të ardhmen, megjithatë deri më tani mungojnë raportet e detajuara nga organizatat ndërkombëtare që do të pasqyronin gjetjet dhe parregullsitë në këto procese.
