Eksodi i infermierëve nga Kosova po vazhdon – 96 kërkesa për largim vetëm në 6 muaj

Para 9 muaj

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, 96 infermierë, mami dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë në Kosovë kanë kërkuar licenca të paplastifikuara, dokument i nevojshëm për punësim jashtë vendit. Kjo tregon një vazhdimësi të trendit të largimeve nga sektori shëndetësor.

Sipas Odës së Infermierëve, është rritur edhe numri i kërkesave për certifikata të sjelljes etike – një tjetër dokument që kërkohet për emigrim. Vetëm në këtë periudhë, janë lëshuar 35 certifikata, në krahasim me vetëm 2 në vitin 2019.

Shkaqet për këtë ikje lidhen me kushtet e vështira të punës, mungesën e vendeve të reja të punës, si dhe parregullsitë në konkurse, që sipas ekspertëve të shëndetësisë, shpesh favorizojnë persona të lidhur me pushtetin.

Eksodi po shkakton mungesë stafi në klinika, spitale dhe qendra të mjekësisë familjare, ndërkohë që kërkesat për shërbime shëndetësore janë në rritje.

Ekspertët kërkojnë më shumë vende pune, reforma në sistemin e rekrutimit dhe mbështetje për profesionistët shëndetësorë, për të parandaluar zbrazjen e sistemit.