Hetimi disa mujor i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e po ashtu edhe me autoritetet në Belgjikë, kanë zhvilluar një aksion në Prishtinë e Ferizaj, ku janë kryer bastisje në dy lokacione. Personi që ishte cak në këtë operacion ra në prangat e Policisë dhe i njëjti dyshohet për veprimtari të kundërligjshme në Belgjikë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i dyshuar që përfundoi në ndalim policor është Ermal Haziri, rreth 21-vjeçar.
Haziri po dyshohet për keqpërdorim të kartelave bankare të klientëve në një bankë në Belgjikë, ku sipas dosjes është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm.
Sipas dosjes së rastit, të cilën e ka parë Sinjali, thuhet se i dyshuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, është përfshirë në këtë rast, që ka pasur cak komprometimin e të dhënave të kartelave bankare të hiç më pak se 300 mijë klientëve të bankës në fjalë në Belgjikë.
Siç ka marrë vesh tutje Gazeta Sinjali, gjatë aksionit Policia ka sekuestruar edhe prova materiale, si telefona, dokumente të ndryshme e kompjuterë – që do të shfrytëzohen si dëshmi në këtë çështje penale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj të dyshuarit dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
