Ekskluzive: Arrestohet drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi – Dyshohet për detyrim dhe shmangie nga tatimi

Para 10 muaj

Një aksion i gjerë i zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka rezultuar me arrestimin e kolonelit Nexhmi Krasniqi, drejtor i Policisë Kufitare për Rajonin e Prizrenit.

Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, i cili bëri të ditur se krahas Krasniqit janë arrestuar edhe tre persona të tjerë.

Sipas burimeve të Insajderit, katër të dyshuarit dyshohet se përmes formës së detyrimit kanë marrë 30 mijë euro nga viktima, në një rast të rëndë të zhvatjes dhe abuzimit me pozitën zyrtare.

Operacioni dhe hetimet

Aksioni është zhvilluar pas një hetimi disa mujor dhe përfshiu bastisjen e katër lokacioneve të ndryshme, nga ku u siguruan dëshmi të rëndësishme. IPK konfirmon se hetimet janë realizuar me profesionalizëm dhe në koordinim të ngushtë me organet e drejtësisë.

Në njoftimin zyrtar të IPK-së thuhet:

“Ndaj të dyshuarve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

Rasti pritet të marrë vëmendje të gjerë publike për shkak të pozitës së lartë të të arrestuarit në strukturat e Policisë së Kosovës. Hetimet janë ende në vijim.