E vdekur dhe e braktisur: Rasti i foshnjës në Prishtinë ngre pikëpyetje të mëdha!

Para 1 vit

Një foshnje është gjetur pa shenja jete në afërsi të një deponie mbeturinash në Prishtinë, duke shkaktuar tronditje në opinionin publik. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Telegrafin se nuk mund të japë detaje shtesë, me qëllim që të mos rrezikohet rrjedha e procedurës hetimore.

“Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, dhe jemi në pritje të rezultatit nga IML”, thuhet në deklaratën e zyrës për media të Prokurorisë.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike për ndihmë nga qytetarët. Çdokush që ka informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, është i lutur të kontaktojë autoritetet përkatëse.

Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe autoritetet mbeten të kujdesshme me publikimin e detajeve, për të siguruar një proces të drejtë dhe të plotë hetimor.