Rusia po shfrytëzon fëmijët ukrainas të rrëmbyer nga territoret e pushtuara, duke i paraqitur në formë katalogu për adoptim të detyruar, paralajmëron Mykola Kuleba nga organizata “Save Ukraine”.
Sipas tij, në faqet zyrtare të republikës së vetëshpallur Luhansk (LNR), publikohen hapur fotografi, të dhëna personale dhe madje edhe “niveli i bindshmërisë” i secilit fëmijë – një qasje që ai e quan çnjerëzore dhe krahasueshme me një treg produktesh.
Kuleba e përshkruan këtë si një krim lufte të organizuar nga shteti rus, që përfshin adoptime të detyruara, ndryshim të identitetit dhe fshirje të qëllimshme të origjinës. Që nga viti 2014, shumë fëmijëve u janë ndryshuar emrat, mbiemrat dhe datat e lindjes për t’iu përshtatur sistemit rus të kujdesit.
Sipas “Save Ukraine”, deri më tani janë deportuar dhjetëra mijëra fëmijë ukrainas, ndërsa organizata ka arritur të shpëtojë mbi 750 prej tyre.
Për këto veprime, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin, i cili akuzohet për deportim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas dhe përfshirje direkte në këtë krim.
