E shtuna më e nxehtë e vitit: Temperatura deri në 40°C në Kosovë – Besim Aliu bën thirrje për kujdes

Para 9 muaj

Meteorologu Besim Aliu ka paralajmëruar për temperatura ekstreme në Kosovë gjatë ditës së sotme, duke theksuar se kjo pritet të jetë e shtuna më e nxehtë e vitit me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Në një intervistë për emisionin “Weekend” në Klan Kosova, Aliu theksoi se vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin që nga qershori, kulmon sot dhe pritet të zbutet nga dita e nesërme.

“Vendi ynë do të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit që janë prezente që nga qershori. Sot është dita e fundit e këtyre masave të nxehta – temperaturat parashihen të jenë deri në 40 gradë Celsius,” tha Aliu.

Ai shtoi se, sipas të dhënave historike, kjo është hera e parë që nga viti 1987 që regjistrohen temperatura të tilla në Kosovë.

Sipas parashikimeve, muaji gusht nuk pritet të jetë aq i nxehtë sa korriku, ndërsa nga nesër pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, me reshje të lehta në zonat malore dhe temperatura maksimale rreth 31°C gjatë javës së ardhshme.

Meteorologu u bëri thirrje qytetarëve që të marrin masa mbrojtëse, të shmangin daljet gjatë orëve të pikut dhe të kujdesen veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.