E rrëmbyen pse ishte kundërshtar i Vuçiçit” – Kurti akuzon Serbinë për agresion në veri

Para 5 muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se qëndron pas rrëmbimit të një qytetari të Kosovës në veri të vendit, i cili sipas tij është sulmuar dhe plagosur nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se shtetasi i Kosovës, i cili është i nacionalitetit serb, është rrëmbyer “vetëm pse ka qenë kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.”

“Sulmi, me çfarë dimë deri tani, ka ndodhur në territorin e Republikës së Kosovës. Qytetari i plagosur dhe i rrezikuar për jetë është shtetas i Republikës së Kosovës. Gjithçka tregon që e kanë sulmuar sepse është kundërshtar i regjimit të presidentit të Serbisë,” tha Kurti.

Ai konfirmoi se Policia e Kosovës ndodhet në vendin e ngjarjes në asistencë me KFOR-in dhe EULEX-in, ndërsa po kryhen procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

“Është e qartë se fqinji ynë verior po vazhdon me sulmet e veta që kanë për qëllim disiplinimin e serbëve dhe destabilizimin e Kosovës,” shtoi ai.

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se më 1 nëntor, në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, me inicialet M.V., dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.

Sipas Policisë, vendi ku ka ndodhur rasti gjendet brenda territorit të Kosovës, në zonën e njohur si pika zero, afër kufirit me Serbinë.

Ndërkohë, autoritetet në Beograd ende nuk janë deklaruar lidhur me këtë incident.