Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të premten në qytetin Kitzbuhel të Austrisë, ku një vajzë 22-vjeçare dyshohet se ka sulmuar me çekiç nënën e saj 48-vjeçare, ndërsa ajo po flinte.
Sipas gazetës gjermane Bild, vajza ka tentuar dy herë ta godasë në kokë nënën e saj me qëllim ta vrasë. Pasi është goditur, gruaja ka arritur të shpëtojë duke u fshehur në banjë, ndërsa fqinjët, të alarmuar nga britmat, kanë lajmëruar menjëherë policinë.
E plagosura është dërguar në spital, ndërsa vajza është arrestuar dhe ndodhet aktualisht në burgun e Innsbruck-ut, nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Motivet e këtij sulmi të rëndë nuk janë bërë ende të ditura. Hetimet po vazhdojnë.
