E rëndë: Incident në vendin e punës në Mazgit të Obiliqit – njëri vëlla lëndohet rëndë gjatë shkarkimit të pajisjeve të punës

Para 1 vit

Siguria në vendin e punës vazhdon të mbetet një shqetësim serioz në Kosovë, ku gjatë orarit të punës, punëtorët pësojnë lëndime trupore. Një rast i tillë ka ndodhur sot në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku një punëtor është lënduar rëndë gjatë shkarkimit të pajisjeve të rënda, në rrethana që ngrenë dyshime për mungesë të masave mbrojtëse në vendin e punës.

Gazeta Sinjali mëson se sot, rreth orës 13:30, është raportuar në Prokurori një rast që është cilësuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sipas burimeve nga Prokuroria, Kenan Tërnava, rreth 33 vjeçar, ishte duke shkarkuar makina për dritare me peshë të rëndë nga një kamion, së bashku me vëllain e tij, Adnan Tërnava, rreth 37 vjeçar. Gjatë procesit të shkarkimit, për shkak të pakujdesisë dhe mungesës së mbrojtjes së nevojshme, Kenani është lënduar rëndë dhe është dërguar menjëherë në QKUK për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, Prokurori i Shtetit dhe Inspektorati i Punës, të cilët kanë bërë ekzaminimet fillestare dhe kanë marrë dëshmi nga G.Sh, një prej të pranishmëve në momentin e incidentit.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt.