E dua Muhamedin” sjell hetime penale ndaj mijëra myslimanëve në Indi

Para 6 muaj

Mbi 2,500 myslimanë në Indi janë vënë nën hetim dhe dhjetëra të tjerë janë arrestuar për përdorimin e shprehjes “E dua Muhamedin”, në kontekst të shënimit të ditëlindjes së Profetit Muhamed.

Sipas organizatës për të drejtat civile APCR, janë ngritur më shumë se 22 çështje penale në disa shtete të Indisë, shumica prej tyre të qeverisura nga partia nacionaliste hindu BJP, nën drejtimin e kryeministrit Narendra Modi.

Ngjarjet nisën më 4 shtator në qytetin Kanpur, kur gjatë një parade fetare u vendos një tabelë ndriçuese me këtë mbishkrim. Disa banorë hindu e kundërshtuan, duke pretenduar se ishte një “praktikë e re publike”, gjë që në disa shtete është e ndaluar me ligj.

Si pasojë, autoritetet ngritën akuza për “nxitje të urrejtjes fetare”, duke përfshirë edhe qytetarë që kishin postuar mbishkrimin në rrjete sociale ose kishin veshur bluza me të.

Ky rast ka ngjallur reagime të ashpra nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat e shohin si shembull të shtypjes së lirisë së fesë dhe të shprehjes në Indi, veçanërisht ndaj komunitetit mysliman.