Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të arrestuarve nën dyshimin për detyrim, armëmbajtje pa leje e ikje të tatimit.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqit, aktualisht zyrtar policor. Aksioni ishte zhvilluar nga Prokuroria bashkë me IPK derisa një ditë më vonë Xhelal Sveçla ka kërkuar largimin nga Policia të gjithë atyre që njollosin uniformën policore.
Sipas dosjes së Prokurorisë, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, dyshohen se si pjesë e grupit kishin përdorur kanosjen, duke detyruar të dëmtuarin E.M, të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i dëmtuari ishin detyruar të tërhiqet nga prona për të cilën kishte autorizim në dobi të Ramadan Paçarizit, i cili pastaj e kishte blerë pronën për 250 mijë euro nën çmimin e tregut pasi e njëjta pronë kishte vlerë deri në gjysmë milioni euro.
Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë muajve nëntor–dhjetor të vitit 2024 në Prizren, Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, dyshohen se kanë vepruar si grup i organizuar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete, përmes kërcënimeve serioze dhe presionit ndaj një personi tjetër.
Sipas dokumentit të siguruar, të pandehurit kanë ushtruar kanosje serioze ndaj të dëmtuarit E.M me qëllim që ai të veprojë në dëm të pasurisë së tij. E.M ka qenë bashkëpronar i një ngastre kadastrale nr. 749 në zonën kadastrale Lubizhdë dhe kishte autorizim gjeneral për të shitur parcelën në fjalë nga personat “Svetozar Nekiq, Stanimir Nekiq dhe Zvonomir Nekiq”.Duke qenë në këtë pozitë, i pandehuri Liman Sallauka, sipas Prokurorisë, kishte filluar kontakte të vazhdueshme me të dëmtuarin. Më pas, në proces hyn edhe vëllai i tij, Xhevat Sallauka, i cili kërkon vazhdimisht takim me të dëmtuarin lidhur me ngastrën. Takimi ndodh në një pompë derivatesh në rrugën “Transiti i Ri” në Prizren, ku marrin pjesë Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi, dëshmitari E.E. dhe i dëmtuari E.M.
