Dy ura të reja mbi lumin Ibër – Durmishi publikon pamje, përfundimi pritet në vjeshtë

Para 9 muaj

Prishtinë, 4 korrik 2025 – Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka publikuar pamje nga punimet që po zhvillohen në ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur me betonimin e pilotave, duke theksuar se në vjeshtë pritet përfundimi i projekteve.

“Filluam me betonimin e pilotave. Në vjeshtë edhe dy ura mbi Ibër”, ka shkruar Durmishi, duke bashkangjitur edhe video nga kantieri.

Gurëthemeli i këtyre dy urave u vendos të martën, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti, i cili bëri të ditur se njëra urë do të jetë për këmbësorë, me gjatësi 41 metra, ndërsa tjetra për automjete dhe këmbësorë, me gjatësi 51 metra.

Ky projekt po konsiderohet si një prej të rrallëve që mund të realizohet brenda një afati të shkurtër, për dallim nga disa projekte të mëparshme që janë kritikuar për vonesa të gjata.

Një prej rasteve të përmendura shpesh është ura e Badovcit, në magjistralen Prishtinë–Gjilan, e cila ishte mbyllur në prill të vitit 2023 dhe u lëshua për qarkullim vetëm në fund të vitit 2024 – duke kaluar mbi 20 muaj në punime.

Nëse afatet e premtuara respektohen, përfundimi i këtyre dy urave në vjeshtë do të përfaqësonte një sukses të rrallë në realizimin me kohë të projekteve infrastrukturore në Kosovë.