Dy punëtorë humbin jetën në vendin e punës në Gjakovë

Para 11 muaj

Viktimat ranë nga një objekt në ndërtim Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat.

Dy punëtorë të moshës madhore kanë humbur jetën të hënën në mëngjes si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e punës, në një objekt ndërtimi në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë.

Lajmin e ka konfirmuar për Klan Kosova zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se punëtorët kishin rënë nga një lartësi dhe nuk arritën t’i mbijetonin plagëve të marra.

“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre,” tha Elezaj.

Sipas policisë, njësitë relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprime hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë tragjedi.

Ende nuk është bërë e ditur nëse kompania ndërtuese kishte respektuar të gjitha masat e sigurisë për punëtorët, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve paraprake.