Në Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike të QKUK-së janë kryer për herë të parë me sukses dy operacione të rralla dhe shumë të rëndësishme për pacientet me anomali kongjenitale të organeve gjenitale.
Kjo arritje u bë e mundur falë bashkëpunimit ndërmjet stafit të klinikës dhe dr. Alban Nezirit, gjinekolog me përvojë ndërkombëtare nga Zvicra, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e ndërhyrjeve.
Operacionet u realizuan tek dy paciente tek të cilat, për shkak të anomalive të lindura, nuk ishin zhvilluar plotësisht mitra dhe vagina. Kjo ndërhyrje paraqet një hap të madh drejt përmirësimit të cilësisë së jetës për pacientet dhe mundëson që në të ardhmen të shqyrtohet edhe mundësia e transplantimit të mitrës në qendra të specializuara evropiane.
QKUK ka falënderuar dr. Alban Nezirin dhe gjithë ekipin profesional të përfshirë nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Klinika e Anesteziologjisë për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar.
