Dronë rusë mbi Poloni, NATO në alarm të kuq – Incidenti më i rëndë në dekada

Para 7 muaj

Të martën në mbrëmje, NATO u vu në gatishmërinë më të lartë pas depërtimit të mbi 24 dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë, në atë që konsiderohet si incidenti më i rëndë i sigurisë për Aleancën në dekadat e fundit, raportoi gazeta gjermane WELT.

Sipas burimeve, dronët përshkuan deri në 250 kilometra brenda territorit të NATO-s, me disa prej tyre që u drejtuan drejt një qendre logjistike të rëndësishme në qytetin Rzeszów, që shërben për mbështetjen ushtarake të Ukrainës.

Në orën 21:30, NATO kaloi në alarm të kuq, duke aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore, përfshirë Patriot-ët gjermanë dhe avionët luftarakë F-16 të Polonisë. Rreth orës 01:13 pas mesnate, një avion F-35 holandez rrëzoi dronin e parë, ndërsa të tjerët u neutralizuan brenda mëngjesit.

Një prej dronëve u rrëzua mbi një banesë civile, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Zyrtarët e NATO-s deklaruan se incidenti nuk ishte aksidental, por një veprim i qëllimshëm.

Në përgjigje të ngjarjes, Polonia aktivizoi Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultim të menjëhershëm mes vendeve anëtare kur integriteti territorial i një vendi është i kërcënuar.

Ngjarja ka rritur ndjeshëm tensionet mes NATO-s dhe Rusisë, dhe priten reagime të mëtejshme nga krerët e aleancës.