Një ngjarje shqetësuese është raportuar ditën e djeshme në Drenas, ku një prind ka denoncuar rastin e zhdukjes së vajzës së tij të mitur, duke thënë se e ka parë atë përmes pamjeve të kamerave të sigurisë duke u larguar me një veturë me targa të panjohura.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa vajza është gjetur dhe është kthyer në familjen e saj.
“Sipas informatave të datës 05.08.2025, lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull kosovar, i cili ndodhej së bashku me viktimën – një vajzë e mitur,” thuhet në raportin e policisë, të cilin e përcjell Klankosova.tv.
Më tej, në konsultim me prokurorin, është marrë vendim që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin janë ende në vazhdim.
Policia nuk ka dhënë më shumë detaje për natyrën e raportit mes të dyshuarit dhe viktimës, ndërkohë që rasti është cilësuar si i ndjeshëm, për shkak të përfshirjes së një të miture.
