Drejtor shkolle në Viti arrestohet për ndikim te votuesit në favor të Listës Serbe

Para 5 muaj

Viti, 1 nëntor 2025 – Drejtori i një shkolle fillore në fshatin Binçë të komunës së Vitisë është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se kishte ushtruar presion psikik ndaj një gruaje për ta bindur të votojë një kandidat të Listës Serbe.

Burime të Klan Kosovës kanë bërë të ditur se personi i arrestuar është Dejan Kojiq, ndërsa ngjarja ka ndodhur më 29 tetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti është iniciuar si “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ndërkohë që me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, drejtor i shkollës fillore, pasi që kishte bërë presion psikik të vazhdueshëm ndaj viktimës femër kosovare për të votuar kandidatin e Listës Serbe. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për rrethanat e rastit apo për mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.

Vërejtje:

Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm derisa ndaj tyre të ketë vendim të formës së prerë nga gjykata.