Drejtësia humbi një njeri, njerëzimi humbi një shpirt të madh – lamtumirë Frank Caprio

Para 8 muaj

Frank Caprio, gjyqtari i njohur amerikan i cili u bë i famshëm në mbarë botën për qasjen e tij të dhembshur dhe njerëzore në sallën e gjyqit, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, pas një beteje me kancerin pankreatik.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Caprios u konfirmua nga familjarët dhe stafi i tij përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se ai ndërroi jetë “në mënyrë paqësore, i rrethuar nga familja”.

Caprio u bë i njohur ndërkombëtarisht përmes programit televiziv “Caught in Providence”, ku publiku pati mundësi të ndjekë nga afër seancat gjyqësore në gjykatën komunale të Providence, Rhode Island. Me vendime plot ndjeshmëri dhe drejtësi sociale, ai fitoi zemrat e miliona shikuesve në mbarë botën.

“Ti nuk e di kurrë se çfarë beteje po kalon një person. Unë mendoj se është e rëndësishme të tregosh mirëkuptim para se të gjykosh”, kishte thënë Caprio në një nga intervistat e tij të fundit – një filozofi që e ndoqi gjatë gjithë karrierës së tij.

Për më shumë se 38 vite në sistemin gjyqësor, Caprio nuk ishte vetëm një gjyqtar – ai u kthye në simbol të drejtësisë humane, duke falur gjoba për të moshuarit, duke dëgjuar me vëmendje historitë e qytetarëve dhe duke u kujdesur që drejtësia të mos ishte vetëm ligjore, por edhe morale.

Pas pensionimit të tij në vitin 2023, ai vazhdoi të jetë aktiv në komunitet dhe të angazhohej në çështje humanitare.

Trashëgimi që do të jetojë përtej jetës

Frank Caprio la pas një trashëgimi që frymëzoi jo vetëm juristët, por edhe njerëzit e zakonshëm – një model që tregoi se fuqia e drejtësisë rritet kur bashkohet me empatinë.

Me mbi 1 miliard shikime në platformat digjitale, vendimet e tij vazhdojnë të shpërndahen dhe komentohen gjerësisht, si shembull i gjallë se njerëzillëku nuk e përjashton ligjin – përkundrazi, e plotëson atë.