Drama e Noizyt në Zvicër – Arrestohet para koncertit, përballet me akuza penale të rënda

Para 11 muaj

Zvicër – Reperi i njohur shqiptar, Noizy, është arrestuar të shtunën e kaluar në Aeroportin e Cyrihut nga Policia Kantonale, me urdhër të Prokurorisë I për Krime të Rënda me Dhunë. Lajmi u bë publik të hënën nga mediat zvicerane, ndërsa të martën Prokuroria konfirmoi se ndaj 38-vjeçarit po zhvillohet një procedurë penale për disa vepra të rënda, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Autoritetet kanë kërkuar që Noizy të mbahet në paraburgim, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nga gjykata. Deri në përfundim të procesit, reperi gëzon prezumimin e pafajësisë.

Arrestimi ndodhi pak orë para se ai të performonte në klubin Rinora 4 në Rümlang, ku pritej të prezantonte albumin e ri. Koncerti u anulua menjëherë, ndërsa promovimet u fshinë nga rrjetet sociale.

Noizy është një nga emrat më të mëdhenj të muzikës urbane shqiptare, me afro 4 milionë dëgjues në Spotify dhe mbi 2 milionë ndjekës në Instagram. Ai ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes publike, përfshirë edhe bashkëpunime mediatike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Zvicër dhe pritet që zhvillimet e ardhshme të hedhin më shumë dritë mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij.