Ghislaine Maxwell, e dënuara në lidhje me skandalin e Jeffrey Epstein, mund të posedojë informacion të rëndësishëm lidhur me një takim mes Donald Trump dhe një vajze që ka qenë viktimë e Epstein në moshën 14-vjeçare, raporton DailyMail.com.
Sipas transkripteve nga gjyqi i Maxwell në vitin 2021, Trump është njohur me këtë vajzë të mitur në pronën e tij Mar-a-Lago në vitet 1990, në një kohë kur ai dhe Epstein ishin miq të afërt.
Viktima, e cila dëshmoi nën pseudonimin “Jane”, ka përmendur emrin e Trump gjatë hetimeve, por nuk ka akuzuar presidentin për përfshirje në krime.
Në një takim të fundit, zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë u takuan me Maxwell në një burg federal në Florida, ku ajo shprehu gatishmërinë për të dëshmuar edhe para Kongresit.
Kjo çështje ka ringjallur debatet në Uashington, ndërsa disa anëtarë të Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve po kërkojnë që Maxwell të thirret përpara tyre, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë përpiqet të menaxhojë ndikimin politik të çështjes.
Trump ka reaguar duke mbështetur publikimin e dokumenteve nga dosjet e Epstein dhe Maxwell, ndërsa zyrtarë të lartë kanë paralajmëruar se disa informacione të ndjeshme do të mbahen sekret për të mbrojtur privatësinë e viktimave./Euronewsalbania
