Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij në Qeveri, një veprim që e kishte paralajmëruar një ditë më parë.
“Detyrën që e mora me këtë funksion e kam ushtruar me përkushtim të plotë, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit. Këtë vendim e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të mia personale”, deklaroi Taravari.
Dorëheqja e tij pritet të kalojë në procedurë në Kuvend, pasi të pranohet nga kryeministri. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se për momentin nuk ka ende ndonjë njoftim zyrtar.
“Kur të marrim dorëheqjen me shkrim, atëherë sipas rregullores do të presim propozim nga Kryeministri që të konstatohet dorëheqja dhe më pas kalojmë në procedurën e caktimit të ministrit të ri. Flasim për situata hipotetike”, theksoi Gashi.
Pas largimit të Taravarit, koalicioni VLEN është i bindur se postet që i kanë takuar Aleancës për Shqiptarët (ASH) në ekzekutiv do të mbeten brenda këtij koalicioni. Zv.kryeministri Izet Mexhiti përjashtoi mundësinë që Ministria e Shëndetësisë t’i kalojë VMRO-DPMNE-së.
“Të gjitha pozicionet që i ka Aleanca për Shqiptarët do të mbeten në kuadër të VLEN-it. Do të bëjmë analizë dhe do t’i propozojmë më të mirët dhe më të përgatiturit për ato pozicione”, deklaroi Mexhiti.
Ndërkohë, Taravari ka njoftuar se edhe funksionarë të tjerë të ASH-së do të shkarkohen, një sinjal për përçarje të thellë brenda partisë. Mexhiti tha se ky veprim tregon se Taravari nuk është në një vijë me strukturat e ASH-së.
“Kjo tregon se shumica brenda Aleancës, që prej themelimit ka qenë opozitare ndaj BDI-së, nuk pajtohet me qëndrimin e kryetarit të partisë. Ka një largim të qartë nga linja e partisë dhe kjo reflektohet në qëndrimet e ndryshme të funksionarëve”, shtoi ai.
ASH aktualisht përfaqësohet në qeveri me ministrin e Shëndetësisë, zv.kryeministrin për qeverisje të mirë, zv.ministrin e Bujqësisë dhe zv.ministrin e Mbrojtjes. Pas dorëheqjes së Taravarit, priten lëvizje edhe në nivelet e tjera drejtuese.
