Dogana e Kosovës ndalon tentativën për mashtrim me origjinën e mallit nga Rusia

Para 10 muaj

Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe ndaluar një tentativë për mashtrim me origjinën e mallit nga një kompani që kishte synuar të importonte pleh kimik me origjinë nga Federata Ruse, duke e paraqitur atë si produkt serb.

Sipas njoftimit zyrtar, kompania në fjalë kishte marrë më herët përgjigje negative me shkrim nga Dogana për lejimin e këtij importi, për shkak të sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Megjithatë, subjekti ekonomik ka tentuar të kamuflojë origjinën, duke paketuar mallin në thasë me emërtimin e një prodhuesi nga Serbia.

Dogana ka ndërhyrë në kohë, duke ndaluar dërgesën në kufi dhe ka lëshuar Aktvendim të kundërvajtjes, me të cilin i është urdhëruar kthimi i menjëhershëm i mallit jashtë territorit të Kosovës.

Institucioni thekson se ky rast përbën një sukses në zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, në përputhje me politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit të tregtisë dhe në zbatimin e ligjit, duke parandaluar çdo tentim për mashtrim apo manipulim,” thuhet në njoftim.