Dodik: “Bosnja do të shpërbëhet” – Thirrje boshnjakëve të “kthehen në fenë krishtere ortodokse”

Para 0 vit

Presidenti i entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka provokuar reagime të ashpra në rajon pas deklaratave të tij të fundit që janë cilësuar si shoviniste, fyese dhe historikisht të pabazuara.

Gjatë një fjalimi pas takimit të koalicionit qeverisës në Banja Luka, Dodik tha se “Bosnja dhe Hercegovina do të shpërbëhet” dhe e cilësoi shtetin si një konstrukt që “kundërmon nga çnjerëzia”.

Në mënyrë të përsëritur ai hodhi poshtë legjitimitetin e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, duke e quajtur “jolegjitim” dhe duke ironizuar se “myslimanët e pranojnë vendimet e tij dhe shpresojnë në pjesën e dytë të lojës”, duke iu referuar boshnjakëve me një term që shpesh përdoret në mënyrë përçmuese nga nacionalistët serbë.

Por pjesa më e debatueshme e fjalimit ishte thirrja që Dodik u bëri boshnjakëve që të “kthehen në fenë ortodokse”, duke pretenduar se paraardhësit e tyre u detyruan të konvertoheshin në islam gjatë periudhës osmane. “Zgjidhja për Bosnjën është kjo: që myslimanët të kthehen në fenë e tyre të vjetër ortodokse… kështu Bosnja do të ishte me shumicë serbe, dhe vetëm e tillë mund të ekzistojë”, deklaroi ai.

“Bosnja dhe Hercegovina nuk është ajo që pretendohet të jetë. Ajo do të shpërbëhet. Dhe jam i lumtur për këtë”, përfundoi Dodik, pa fshehur kënaqësinë për idenë e shkatërrimit të shtetit të përbashkët.

Deklaratat e tij janë interpretuar si përpjekje për të minuar rendin kushtetues të Bosnjës dhe për të nxitur ndarje etnike dhe fetare në një rajon ende të ndjeshëm ndaj tensioneve të pasluftës.