Tërnoc, Bujanoc – Levent Qazimi, djali i heroit kombëtar Ridvan Qazimi – Komandant Lleshi, ka ndarë një mesazh emocional nga vendi simbolik “Guart e Bujve” në Tërnoc, aty ku ndaloi hapi i babait të tij, por nisi lavdia që e ndjek edhe sot.
Në fjalët e tij, Leventi shkruan:
“Baba, jam këtu në ‘Guart e Bujve’, në Tërnoc – aty ku u ndal hapi yt, por nisi lavdia jote. Çdo gur këtu mban gjurmën tënde dhe dhimbjen tonë… Gjaku yt u bë themel i lirisë që sot e jetojmë me krenari. Ti s’je më fizikisht, por je kudo – në këtë tokë, në mua, në çdo frymë shqiptare. Prehu në paqe, hero im. Gjithmonë krenar që jam biri yt.”
Ky mesazh ngjalli reagime të shumta në rrjete sociale, ku qytetarë dhe bashkëluftëtarë të Komandant Lleshit shprehën respektin dhe mirënjohjen për figurën e tij dhe sakrificën e bërë për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Komandant Lleshi mbetet një nga figurat më të dashura dhe të respektuara në memorien kolektive shqiptare, dhe çdo kujtim për të, si ky i Leventit, e forcon më tej ndjenjën e krenarisë dhe respektit kombëtar.
