E mërkura e 16 korrikut 2025 pritet të jetë një ditë vendimtare në procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij. Trupi Gjykues do të shpallë vendimin mbi mocionin e përbashkët të mbrojtjes për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mocioni ishte dorëzuar nga ekipet mbrojtëse më 12 qershor, ndërsa Prokuroria e Specializuar ka reaguar me kundërpërgjigje që nga 7 korriku. Pas një muaji shqyrtimi, trupi gjykues ka njoftuar se vendimi do të bëhet publik më 16 korrik në orën 09:00.
Ky vendim pritet të zbulojë për herë të parë qëndrimin e Gjykatës ndaj akuzave të Prokurorisë dhe pozicionin e saj ndaj të akuzuarve në këtë çështje historike për drejtësinë ndërkombëtare dhe Kosovën.
