Në Ditën Botërore të Popullsisë, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) ka publikuar raportin “Krizat e vërteta të fertilitetit”, duke theksuar se rënia e lindshmërisë nuk është problemi kryesor – por pasiguritë ekonomike dhe sociale që pengojnë njerëzit të ndërtojnë jetën që dëshirojnë.
Sipas të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë 2024, Kosova po përjeton një rënie të dukshme të popullsisë. “Fertiliteti ka rënë nën nivelin e zëvendësimit. Të rinjtë po migrojnë, jo vetëm jashtë vendit, por edhe nga zonat rurale në urbane”, deklaroi Visare Mujko-Nimani nga UNFPA Kosova.
Raporti thekson se njerëzit ende dëshirojnë të kenë familje, por përballen me pengesa: strehim të shtrenjtë, punësim të pasigurt dhe mungesë të mbështetjes institucionale. Gratë dhe grupet e margjinalizuara përballen me sfida të shtuara.
Arnhild Spence nga OKB vlerësoi se problemi nuk është rënia e fertilitetit, por humbja e besimit te një e ardhme më e sigurt. Sipas saj, 1/3 e të rinjve në Kosovë nuk janë as në punë, as në shkollim, dhe pjesëmarrja e grave në ekonomi mbetet e ulët.
Të dhënat tregojnë se popullsia është zvogëluar me 8% që nga viti 2011, ndërsa norma e fertilitetit ka rënë nga 2.3 në 1.8.
Eksperti ekonomik Alban Hashani paralajmëroi se Kosova po shkon drejt një shoqërie në plakje dhe se pabarazitë ndërmjet zonave urbane dhe rurale po thellohen.

