Në fëmijëri apo adoleshencë, krijimi i lidhjeve shoqërore duket më natyral, pasi rastet për të ndërtuar miqësi janë të shumta. Por me kalimin në moshën adulte, prioritetet ndryshojnë, rrugët e jetës ndahen dhe mbajtja e miqësive bëhet më e ndërlikuar. Pasoja? Mund të ndihesh i rrethuar… por sërish vetëm.
Në një botë ku jemi të lidhur vazhdimisht në mënyrë digjitale, është paradoksale që ndjenja e vetmisë po rritet. Por, siç shpjegon psikologu dhe autori Mark Travers në një intervistë për Forbes, shpesh është mënyra se si i qasemi miqësive në moshën adulte ajo që e shkakton këtë ndjenjë.
1. Të presësh gjithmonë që tjetri të hedhë hapin e parë
Shumë njerëz besojnë se miqësitë do të lindin vetvetiu, për shkak të afërsisë ose rastësisë. Por në moshën adulte, njerëzit janë më të rezervuar, të zënë me rutina dhe rrallë në kërkim aktiv të miqësive të reja.
Një studim i publikuar në Journal of Positive Psychology tregon se edhe bashkëbisedimet e thjeshta me të panjohur përmirësojnë ndjenjën e përkatësisë. Duke u afruar te të tjerët pa pritshmëri të larta, hapemi ndaj lidhjeve të reja që mund të forcohen me kohën.
2. Të jesh tepër kërkues në pritshmëritë ndaj miqësisë
Një tjetër burim i vetmisë është rreptësia në pritshmëri. Të kërkosh që një mik të jetë gjithmonë i disponueshëm apo i përkushtuar në çdo moment, është e paarsyeshme. Ritmet e ndryshme të jetës, angazhimet dhe lodhja e bëjnë të pamundur një pranueshmëri konstante.
Një përmbledhje studimesh e botuar në Frontiers in Psychology thekson se cilësia e lidhjes, dhe jo domosdoshmërisht frekuenca e kontakteve, është ajo që ndikon më shumë në mirëqenien emocionale. Gjestet e thjeshta, mesazhet spontane apo kujdesi i vogël në përditshmëri e mbajnë miqësinë më të gjallë sesa gjestet madhore, por të rralla.
Nëse ndiheni të vetmuar edhe kur jeni të rrethuar nga njerëz, ndoshta është koha për të reflektuar jo mbi mungesën e miqve, por mbi mënyrën si i shikoni dhe i ndërtoni këto lidhje.
Përktheu dhe përshtati Gazetareale.com
