E plotësuar: Pas fillimit të seancës së Kuvendit, Galuk Konjufca ka insistuar se Vetëvendosje nuk do të ndryshojë qëndrim, duke propozuar Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit.
Pas kësaj kryesuesi Avni Dehari e ka mbyllur seancën.
Ai tha se seanca e ardhës do të mbahet të mërkurën.
E plotësuar: Deputetja nga radhët e koalicionit Guxo–LVV–Alternativa, Donika Gërvalla, ka shprehur shpresën se ngërçi institucional në Kuvend do të marrë fund sot.
Ajo theksoi se posti i kryeparlamentarit u takon fituesve të zgjedhjeve dhe bëri thirrje që opozita të respektojë rregullat demokratike.
“Ju e dini se kryeplaramentari i takon koalicionit fitues, prandaj, shumë po shpresoj se sot do të zhbllokohet gjendja në Kuvend dhe thirrja e partive opozitare që të respektojnë rregullat demokratike dhe të votojnë kryetaren e Kuvendit, e cila nuk ka si të jetë ndryshe përveç nga koalicioni fitues, pra nga koalicioni i partisë Guxo me LVV-në dhe me partinë Alternativa, ky është plani”, ka thënë Gërvalla.
E pyetur nëse është arritur një marrëveshje mes LVV-së dhe Nisma, ajo pa pranuar të jap më shumë detaje, ka thënë se në sallë do të shihet rezultati.
Deputetja Gërvalla shtoi se as pozitës e as opozitës nuk i shkon në dobi vazhdimi i bllokadave dhe bëri apel për zhbllokim të punës parlamentare në këtë fazë të konstituimit të institucioneve.
“Kur të hymë në sallë do të shihni rezultatin, nuk mendoj se është rruga vendi ku duhen diskutuar këto gjëra. Mendoj se për pak minuta fillon seanca, dhe aty do të shihni ka ose s’ka, a do të ecim sot përpara, apo do të vazhdojnë bllokadat si këto…Është gjëja më normal që pas fitores në zgjedhje dhe pas kapërcimit të një bllokade fillestare të vazhdojë puna, nuk shoh asnjë logjikë, sens në bllokimin e punimeve të kuvendit. Vota për qeverinë do duhej të ishte ajo tema politike. Ne jemi ende tek pjesa fillestare, tek konstituimi i Kuvendit, as pozitës, por as opozitës nuk i kontribuon një bllokim i punimeve në këtë moment, prandaj, po shpresojmë që ditët e pushimit të kenë ndikuar që opozita të ketë ardhur sot me qellim të zhbllokimit të punës”, ka shtuar Gërvalla.
Deputetët mblidhen sot në tentimin e katërt për konstituimin e legjislaturës së nëntë të kuvendit të Kosovës.
Më 19 prill është bërë betimi i deputetëve dhe më pas Lëvizja Vetëvendosje – si partia fituese, e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Në dy tentime radhazi, Haxhiu ka dështuar të marrë votat e nevojshme për kryetare të Kuvendit.
Ndërkaq, sot pritet që LVV-ja të vendosë edhe njëherë emrin e Haxhiut në votim.
E plotësuar: Krasniqi: Është përgjegjësi e LVV-së kryekuvendari, nëse s’mundet ka opsione të tjera
Memli Krasniqi nga PDK ka thënë se është përgjegjësi e VV-së t’i gjejë votat për kryetar të Kuvendit.
Ai para mediave tha se nëse s’mundet ta bëjë këtë, atëherë thotë se ka opsione të tjera siç e kërkon edhe Kushtetuta.
Edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke hyrë në Kuvendin e Kosovës ka thënë se ky subjekt politik nuk ka ndërruar qëndrim.
Ajo ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, si subjektin politik me votat në numër më të madh, për moskomunikim me grupet e tjera parlamentare për gjetjen e një emri në dakordim me të gjitha palët.
“Ju e dini që në bazë të Kushtetutës i takon grupit më të madh parlamentar që të bëjë propozimin, e ky grup nuk e ka bërë as përpjekjen më të vogël që të kontaktojë grupet e tjera parlamentare për ndonjë emër konsensual. Sot nuk ka ndryshuar asgjë dhe nuk ndryshon as vota jonë”, ka thënë Çitaku para gazetarëve.
E plotësuar/ Abdixhiku: LDK nuk do të votojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se vendimi i tyre për të mos e mbështetur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, mbetet i pandryshuar.
“Ne kemi thënë që njohim të drejtën e partisë së parë që të propozojë kandidatin për kryetar kuvendi por parlamenti është kompromis. Kam dëgjuar parti të tjera që kanë gatishmëri për të votuar për kandidatë të tjerë, ndoshta duhet gjetur gjuha e kompromisit me ato parti që kanë gatishmëri. LDK do vazhdojë të votojë njëjtë”, tha Abdixhiku.
Deputetët mblidhen sot në tentimin e katërt për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Më 19 prill është bërë betimi i deputetëve dhe më pas Lëvizja Vetëvendosje – si partia fituese, e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Në dy tentime radhazi, Haxhiu ka dështuar të marrë votat e nevojshme për kryetare të Kuvendit.
Ndërkaq, sot pritet që LVV-ja të vendosë edhe njëherë emrin e Haxhiut në votim.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se do mbështeste kandidatin e LVV-së nëse do të ishte emri i Shqipe Selimit ose Saranda Bogujevcit.
Seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë për herë të katërt që nga thirrja e saj nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 15 prill.
Seanca e parë, e mbajtur më 15 prill dhe e vazhduar më 17 prill, u ndërpre që në pikën e parë të rendit të ditës, për shkak të dështimit për të miratuar Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve. Kjo ndodhi si pasojë e mospajtimeve procedurale ndërmjet partive politike.
Pas tejkalimit të këtyre mospajtimeve, deputetët miratuan njëzëri raportin e komisionit gjatë vazhdimit të tretë të seancës, më 19 prill.
Gjatë kësaj seance u betuan edhe deputetët e rinj.
Megjithatë, edhe kjo seancë u ndërpre, këtë herë në pikën e dytë të rendit të ditës, ku pritej të zgjidhej kryetari i Kuvendit.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.
