Dimër elektoral në horizont – KQZ gati për zgjedhje të reja, pavarësisht sfidave

Para 11 muaj

Kosova mund të përballet me një “dimër elektoral”, nëse deri më 26 tetor mandatari Albin Kurti nuk arrin të formojë Qeverinë e re. Në atë rast, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, për herë të dytë brenda një viti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është aktualisht i fokusuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjen për raundin e dytë më 9 nëntor. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për KosovaPress se institucioni do të veprojë sipas mandatit kushtetues, pa u përfshirë në debate politike.

Ai pranoi se mbajtja e zgjedhjeve të reja qendrore në një periudhë të shkurtër do të ishte një sfidë për stafin, por KQZ është e gatshme të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm nëse shpallet një proces i ri zgjedhor.

Ndërkohë, votat e diasporës dhe ato për disa kuvende komunale janë ende në numërim, ndërsa balotazhi për disa komuna do të zhvillohet më 9 nëntor 2025.